Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka filluar sot një vizitë dyditore në Kosovë. Me një agjendë të ngjeshur, Berisha pritet të takojë udhëheqësit më të lartë të Kosovës, ata të pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare, si dhe të nënshkruajë disa marrëveshje Shqipëri – Kosovë për bashkëpunim në fusha të ndryshme. Gjithashtu, Berisha pritet të nderohet edhe me çmime nga institucionet e Kosovës. Me të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, kryeministri Berisha tha se vinte në Prishtinë si çdo herë me kënaqësinë më të madhe. «Po vi në vendin me kënaqësinë më të madhe, ku kam dëshirë të qëndroj çdo ditë», tha kryeministri Berisha. Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Berisha do të pritet në takime nga udhëheqësit më të lartë të shtetit të Kosovës si edhe liderët e partive opozitare. Gjatë një seance solemne në Parlamentin e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu pritet t’i ndajë Berishës «Medaljen e Artë të Lirisë», kurse në Universitetin e Prishtinës do t’i ndahet çmimi «Honoris Causa». Po ashtu, Berisha dhe delegacioni nga Tirana pritet të zhvillojnë takime edhe me komunitetin e biznesit. Sot, Berisha ka në agjendë edhe vizitën dhe homazhet tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, kurse nesër homazhe tek varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari
Nesër, Berisha pritet të takojë përfaqësuesin e BE-së, Piter Feith, dhe komandantin e KFOR-it, Markus Bentler. Para mbylljes së vizitës, Berisha do të ndalet edhe në Prizren, ku autoritetet komunale do ta shpallin atë «Qytetar Nderi» të Prizrenit. Gjatë kësaj vizite, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar disa marrëveshje, përfshirë atë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, protokollin për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshjen në fushën e doganave, atë për bashkëpunim policor ndërkufitar, marrëveshjen e a ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm ,si dhe marrëveshjen e bashkëpunimit të administratave lokale. Kjo është vizita e parë që kryeministri Sali Berisha i bën Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.