Në të vërtetë, paralajmërimet për një takim të përbashkët për të sqaruar pozicionet e tyre lidhur me botimin e “Enciklopedisë Maqedonase”, ishin bërë nga kryetari i BDI, i cili kishte kërkuar që kryeministri maqedonas Gruevski, por edhe nga qeveria që të distancohen nga botimi i kësaj vepre kontroverse për shqiptarët. Dy liderët e partive të koalicionit qeveritar në Maqedoni kanë drejtuar nëpërmjet mediave mesazhe dhe qëndrime lidhur me debatin e ndezur për enciklopedinë. Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ka pranuar se shqiptarët janë fyer me enciklopedinë maqedonase, megjithëse ka kërkuar që të arrihet një zgjidhje përmes dialogut dhe mirëkuptimit. “Ajo që ndodhi me enciklopedinë është e qartë se i ka fyer shqiptarët në Maqedoni. Në situatën kur dikush fyhet është mirë që të dyja palët, pavarësisht argumenteve dhe pavarësisht asaj se kush ka të drejtë e kush jo, që përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektimit të ndërsjellë të arrijnë një zgjidhje të caktuar të problemit”, ka deklaruar Gruevski.Ndërkohë, lideri i BDI, Ali Ahmeti ka vlerësuar se prononcimet e deritanishme të kryeministrit Gruevski për enciklopedinë janë të pamjaftueshme. Gjatë një interviste për televizionin Top-Channel të Tiranës, Ahmeti deklaroi se, Gruevski duhet ta dënojë këtë akt luftënxitës, por edhe kërkoi që enciklopedia të tërhiqet nga qarkullimi. Ahmeti theksoi se pret që kryeministri maqedonas ta ftojë për të diskutuar rreth enciklopedisë, të cilën e cilësoi si një provokim të ulët nga komuniteti maqedonas, pjesë e të cilit është edhe Gruevski. Veç kësaj, Ahmeti pohoi edhe atë se duhen ndërmarrë të gjitha masat ashtu që të reagohet me kohë, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet.Ndryshe, acarimi i marrëdhënieve ndërmjet dy partive të koalicionit është ndjerë edhe në mbledhjen e javës së kaluar të Qeverisë, kur ka pasur reagime dhe mospajtime edhe ndërmjet ministrave shqiptarë dhe atyre maqedonas. /INA/