Arbën Xhaferri: Maqedonia si foleja e qyqes

Arbën Xhaferri: Maqedonia si foleja e qyqes

“Duke marrë parasysh se shqiptarët nuk kanë probleme me identitetin, me kohezionin e brendshëm të shoqërisë, duke marrë parasysh se shqiptarët nuk kanë dëm nga e vërteta, mendoj se institucionet politike dhe shkencore duhet ta thonë vetëm të vërtetën, pa marrë parasysh se sa dhe për kë ajo është e hidhur”. Kështu shprehet në një intervistë për “Panorama”, ish-kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferri. Një nga njerëzit që ka luftuar më shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Xhaferri, e quan botimin e Enciklopedisë Maqedonase, si përpjekje për të ndërtuar diçka që nuk ka ekzistuar kurrë. Ai e krahason këtë politikë me qyqen, e cila kurrë nuk ngre folenë e vet, por shfrytëzon foletë e të tjerëve.  Z. Xhaferri, cili do të ishte komenti juaj në lidhje me Enciklopedinë e botuar këto ditë nga Akademia e Shkencave maqedonase, ku qartazi shtrembërohet historia e shqiptarëve?Ata që e dinë domethënien e togfjalëshit “foleja e qyqes”, jo vetëm gjuhësisht, por edhe figurativisht do ta kuptojnë aluzionin për natyrën e provokimeve, që tashmë në vazhdimësi vijnë nga institucionet maqedonase lidhur me historinë e popullit shqiptar. Siç dihet qyqja nuk di të thurë fole për zogjtë e saj, prandaj vezët i vendos në foletë e shpezëve të tjerë. Kështu veprojnë edhe parazitët. Do të doja të shkruaja një tekst pozitiv për këtë popull dhe shtet të brishtë, por intensiteti i provokimeve që vijnë varg e vister, pa dilema dhe skrupula morale, sërish më kthejnë në dimensionin e konfliktualitetit. Këto tekste, të shkruara nga elita intelektuale maqedonase, pa marrë parasysh qëllimin, intencën politike si dhe mediumin ku botohet, në revista, u thënçim shkencore, apo në kolumna gazetareske, kanë një emërues të përbashkët: relativizimin e gjithçkasë që u mungon atyre, etnogjenezës, historisë, gjuhës, personazheve historike, vazhdimësisë etno-kulturore të popujve të tjerë.Projekti “Maqedoni dhe maqedonas”, që ndërtohet me fragmente të historisë së popujve të tjerë vetvetiu prodhon fërkime të vazhdueshme, ngaqë mëton ta realizojë të pamundshmen, të përurojë ekzistimin e diçkaje që s’ka ekzistuar më parë, të paktën jo në trajtën që imponohet. Ky projekt nuk buron vetëm nga kokat e rrjedhura të disa anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë, por është një botëkuptim tashmë dogmatik, pa të cilin humbet rrëfimi megaloman, pretencioz, herë-herë i padurueshëm për një popull shumë “të lashtë”, që falë gjenialitetit të tij, paska mbijetuar në rrethana jashtëzakonisht të rrezikshme dhe ka arritur të lërë dorëshkrimin, fijen e artë që dëshmuaka vazhdimësinë e qenies së tyre që nga kohët më të lashta. Nëse tolerohet kjo marrëzi, ky pretendim posesiv, përvetësues, maqedonasit do të pajisen me një licencë historike, me një tapi me të cilën do të përvetësojnë një pjesë të madhe të zulmit të popujve të Ballkanit. Që tani këta mitomanë kanë hedhur grepin Skënderbeut, Nënës Terezë, Pjetër Bogdanit, por jo vetëm kaq. Krahas përvetësimit të artefakteve të popujve të tjerë, këta pseudo-projektues të vlerave inekzistente i lejojnë vetes që ta karikaturojnë historinë dhe personalitetet historike të shqiptarëve, për ta glorifikuar veten në gërmadhat e sajuara në mendjet e tyre, të etura për famë dhe relevancë gjithëkohore.Kjo arrogancë e tyre buron nga qëndrimi ynë tolerant ndaj provokacioneve të vazhdueshme, tashmë të institucionalizuar. Reagimi ynë duhet të jetë adekuat: nëse ata nuk turpërohen nga shtrembërimi i fakteve, atëherë pse u dashka që ne t’i fshehim të vërtetat për ta?! Pse pikërisht tani po botohet kjo enciklopedi?Për shkak se nacionalizmi maqedonas është shndërruar në “default” të sistemit, për shkak se shfaqet lirisht, për shkak se shkrime të këtij niveli janë botuar vazhdimisht, për shkak se në kohën e Jugosllavisë nacionalizmi maqedonas ishte i stimuluar, për shkak se maqedonasit tashmë nuk arrijnë të dallojnë nacionalizmin prej patriotizmit dhe veçmas për shkak të nevojës që vëmendja e qytetarëve duhet të bartet nga fusha e problemeve me Greqinë, Bullgarinë, NATO-n, BE-në në atë të acarimit të marrëdhënieve  ndër-etnike. Termini i papërshtatshëm për botim të kësaj enciklopedie të varfër, gjuha e egër, shtrembërimet e paturpshme të fakteve historike flasin për paaftësinë e maqedonasve për dallim të gënjeshtrës, të iluzionit nga e vërteta dhe realiteti. Prezenca e faktorit shqiptar në këto shoqëri, tashmë të nacifikuara ndikon që të shfaqen, të zbulohen nacionalizmat që kamuflohen me një retorikë të dalë boje.Me sa kemi mësuar në përgatitjen e kësaj enciklopedie kanë marrë  pjesë edhe disa shqiptare, si do ta vlerësonit ju këtë fakt?Mendoj se problemi është pak më kompleks sesa duket. Prezenca formale, pa ndikim e shqiptarëve, jo vetëm në këtë institucion, flet për një krizë shumë më të thellë në ndërtimin e shtetit multietnik. Pas botimit të kësaj enciklopedie dhe pas nxjerrjes së një vargu të ligjeve segreguese (për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, për stimulimin financiar të ngritjes së natalitetit te maqedonasit, ligjit për risocializim dhe dëmshpërblim të ish- pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë, mosrespektimi i ligjit për amnisti etj), shtrohet pyetja dhe dilema për arsyeshmërinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet e ndryshme të sistemit ku ata, siç shihet, s’kanë peshë dhe funksion për t’i parandaluar këto padrejtësi. Politika e shqiptarëve të Maqedonisë vetvetiu do të detyrohet ta ndryshojë mënyrën e veprimit, qëllimet, prioritetet dhe të fillojë të demonstrojë kapacitetin real politik dhe demokratik. Tash është momenti për verifikim të arritjeve në të gjitha fushat, duke krahasuar me marrëveshjet paraprake dhe me arritjet e popujve të tjerë. Kjo enciklopedi dëshmon se institucionet e sistemit janë bërë bastione të nacionalizmit maqedonas dhe se të gjitha shpresat e faktorit ndërkombëtar se pjesëmarrja e shqiptarëve në këto institucione të nacifikuara do të mjaftojë që kontesti ndëretnik në Maqedoni të zgjidhet në mënyrë qytetëruese ishin  iluzion i radhës. Nacionalizmi anakronik maqedonas nuk arriti, në asnjë mënyrë, ta zgjidhë problemin real me shqiptarët, as me mjete demokratike, as me represion. Kjo dëshmon se politika e ndjekur vjen ndesh me realitetet, prandaj duhet të ndërrohet politika dhe jo realitetet.Cila do të ishte përgjigjja më e mirë që shqiptarët, qofshin në Maqedoni, apo në Shqipëri mund t’i jepnin akademikëve maqedonas?Duke pasur parasysh se politika shqiptare nuk shkakton krizë, se kërkesat janë të arsyeshme dhe të realizueshme, duke marrë parasysh se shqiptarët nuk kanë probleme me identitetin, me kohezionin e brendshëm të shoqërisë, duke marrë parasysh se shqiptarët nuk kanë dëm nga e vërteta, mendoj se institucionet politike dhe shkencore duhet ta thonë vetëm të vërtetën, pa marrë parasysh se sa dhe për kë ajo është hidhur.Hëpërhë në Ballkan ekzistojnë disa rrëfime historike që kontestojnë njëra-tjetrën, por në dallim nga të tjerët vetëm rrëfimi maqedonas ndërtohet mbi gabime metodologjike dhe materiale. Historianët maqedonas nuk bëjnë dallim ndërmjet botëkuptimeve të sotme me ato të lashta, prandaj, dëshirat dhe interesat e sotme i projektojnë në të kaluarën. Po ashtu historianët maqedonas nuk bëjnë dallim në mes të historisë së një territori dhe historisë së një kombi. Ata e përvetësojnë origjinën e Nënë Terezës, duke e trajtuar si maqedonase ngaqë ajo paska lindur në Shkup, duke harruar një fakt esencial historik: kur ka lindur ajo, nuk ka ekzistuar ndonjë shtet a provincë administrative me emrin Maqedoni. Nocioni enciklopedi me automatizëm krijon asociacion me dijen. Kjo e Maqedonisë jo vetëm që nuk ngërthen dije në vete, por një urrejtje tinëzare që kushedi ku e ka burimin.