Numri i madh i qytetarëve kosovarë që i drejtohen bregdetit shqiptar këtë sezon veror, ka krijuar radhë të gjata në afërsi të tunelit të Kalimashit, por edhe në afërsi të urës njëkalimëshe të Rexhepajt. Sipas policisë së Kukësit, bëhet e ditur se vetëm gjatë orës 07:00 deri në orën 23:00 të ditës së diel në Shqipëri kanë hyrë përmes doganës së Morinës rreth 3000 mjete të llojeve të ndryshme. Ndërsa gjatë ditës së hënë nga ora 06:00 deri në orën 11:00 kanë hyrë mbi 1300 mjete. Po ashtu radhë të gjata u krijuan edhe pranë urës njëkalimëshe afër Rexhepajt, një urë kjo e cila është ndërtuar, por ende nuk është certifikuar nga mbikëqyrësi. Përgjegjësi i zyrës së industrisë në prefekturën e Kukësit, Shkëlqim Dulla tha se i është kërkuar kompanisë që ka ndërtuar rrugën të krijojë mundësinë e lëvizjes në urë nga njëri krah, ndërsa ura tjetër të përdoret për krahun tjetër. “Vetëm kështu mund të zgjidhet problemi”- theksoi Dulla. Ndërsa i është kërkuar policisë rrugore të vendosë në dispozicion punonjësit e saj për të monitoruar situatën e krijuar. (Balkanweb)