Berisha, Thaçi dhe Erdogan përurojnë autostradën

Berisha, Thaçi dhe Erdogan përurojnë autostradën

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka ftuar kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në inaugurimin e autostradës, e cila do të lidhë bregdetin shqiptar me Kosovën, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit. Përurimit që bëhet vetëm tre ditë para zgjedhjeve në Shqipëri i ka paraprirë një koncert festiv në Rrëshen, pranë mbikalimit të parë të rrugës. Më pas tre kryeministrat do të përshkojnë së bashku në këmbë një pjesë të rrugës, para se të presin shiritin e inaugurimit të rrugës.Autostrada Morinë – Kukës – Durrës, e gjatë 170 kilometra, është hapur për qarkullim, zyrtarisht sot në ora 9. Në fakt, pjesa prej kufirit deri në Kukës ka qenë në shfrytëzim edhe deri më tani, por me mjaft vështirësi për shkak të ekzekutimit të punimeve. Nga sot lejohet qarkullimi i automjeteve edhe në segmentin Kalimash – Rrëshen, në një gjatësi 61 kilometra, pjesë e të cilës është edhe tuneli i gjatë 5,5 kilometra. Kur rruga të përfundojë vitin e ardhshëm me një kosto prej 1.1 miliard eurosh, udhëtimi nga Tirana për në kufirin me Kosovën do të zgjasë vetëm 2 orë.Autostrada është ndërtuar nga kompania “Enka & Bechtel”. “Që në mëngjes, përkujdesjen ndaj autostradës e merr policia rrugore. Kjo tregon se ne e dorëzojmë pjesën e projektit që e kishim në përgjegjësi”, ka thënë Ela Ruçi, zëdhënëse e konzorciumit amerikano-turk, që ekzekutoi këtë projekt.Sipas saj, në këtë pjesë janë të kalueshme edhe 27 ura, por vetëm me dy korsi. Po ashtu, qarkullimi në tunel do të bëhet sipas një rregulli të veçantë. Në të njëjtën kohë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në dy drejtimet. Me përcjellje të policisë, njëherë qarkullojnë automjetet në drejtimin Kalimash – Thirrë, e pastaj ato në relacionin e kundërt. Për shkaqe sigurie, pos ekspertëve të kompanisë ndërtimore, atyre për qarkullimin rrugor, për 24 orë do të kujdestarojë policia, ekipet e zjarrfikësve dhe ato mjekësore.“Rruga është e gjerë 22 metra, pos në tunel dhe në ura. Kushtet e udhëtimit janë shumë më të mira, kurse cilësia e rrugës lejon qarkullim në shpejtësi më të madhe. Megjithatë, nga ngasësit e automjeteve kërkojmë kujdes dhe që t’iu përmbahen rregullave të qarkullimit”, ka thënë Ruçi. Rruga e re Morinë ë Kukës është 70 kilometra më e shkurtër se ajo e vjetra që kalonte përmes Shmrisë, Fushë-Arrëzit dhe Mirditës.