Berisha me këtë rast u shpreh se, ndjek me kënaqësi ecurinë e mirë të Kosovës, duke vlerësuar se pavarësia ka prodhuar paqe dhe stabilitet. Kryeministri Berisha dhe presidenti Sejdiu – siç theksohet në një komunikatë të Kryeministrisë – shkëmbyen mendime lidhur me thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku të dyja vendet kanë potenciale të mëdha për një bashkëpunim të ngushtë mes tyre. Në këtë drejtim, Berisha dhe Sejdiu e cilësuan rrugën Durrës-Kukës-Morinë një korridor jashtëzakonisht të rëndësishëm si një urë lidhëse që do të nxisë lëvizjen dhe shkëmbimet jo vetëm ndërmjet dy vendeve, por edhe në rajon. Kryeministri Berisha e informoi presidentin Sejdiu se pak ditë më parë inauguroi edhe rrugën Has-Qafë Prush, që do të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve. Presidenti Sejdiu ndërkaq, i shprehu kryeministrit Berisha vlerësimet dhe konsideratën e tij më të lartë për reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe progresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve me anëtarësimin e vendit në NATO, në infrastrukturë, në fushën ekonomike etj.