Sipas tij, deri të premten do të shqyrtohen dokumentet dhe do të vendoset nëse Çeku do të lirohet apo të ekstradohet në Beograd. “Ne nuk shohim asnjë skandal diplomatik. Thjesht Bullgaria është duke zbatuar obligimet ndaj interpolit. Në anën tjetër, ne e kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kosovare”, ka deklaruar Lyubomir Kyuchukov, zëvendës ministër i punëve të jashtme. Ndërsa, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, i ka thënë Kohavisionit se autoritetet bullgare nuk do ta ekstradojnë ish-kryeministrin Agim Çeku në Serbi. Sipas saj, Çeku pritet të kthehet sot në Kosovë. Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, është arrestuar mbrëmë nga autoritetet bullgare në vendkalimin kufitar në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë, në bazë të një fletarrestimi të shtetit serb, i cili është lëshuar në vitin 2002. “Arrestimi i Çekut është bërë gjersa ishte duke udhëtuar për në kryeqytetin bullgar, në Sofje, ku ishte i ftuar në një takim zyrtar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, ka thënë për Kohavisionin Gëzim Kasapolli, zëdhënës i Partisë Socialdemokrate, të cilën e udhëheq Çeku.