Presidenti Sejdiu tha se e ka marrë këtë vendim mbi bazën e vullnetit të partive politike dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, si asistuese në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Ky është vendimi që rezulton nga konsultat me partitë politike që kam zhvilluar dhe natyrisht rezulton dhe është i determinuar nga dispozitat ligjore të ligjit në fuqi mbi zgjedhjet lokale duke respektuar edhe mandatet e kuvendeve komunale”, u shpreh ai, për gazetarët. Partitë në opozitë kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen në tetor, ndërkohë që dy partitë kryesore të koalicionit qeverisës kishin preferuar nëntorin, pa dhënë ndonjë datë të caktuar.Por Sejdiu mohoi se është anashkaluar vullneti i partive opozitare, të cilat kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 18 ose 25 tetor. “Them se është vullnet i të gjitha partive politike që zgjedhjet të mbahen në afatin ligjor, dhe datat e orientimit të tyre kanë qenë deri më 15 nëntor…Nuk është çështje që t’ia mbaj krahun njërës apo palës tjetër, por duhet të sqaroj se janë të nevojshme shumë veprime për të pasur zgjedhje të suksesshme”.Gjashtë partitë opozitare, AKR, LDD, AAK, ORA, PD dhe PSD, në një mbledhje të përbashkët javën e kaluar i propozuan zyrtarisht presidentit që zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor, duke e konsideruar si kohën më optimale. Në një marrëveshje që e kanë nënshkruar këto subjekte theksohej se kjo ishte koha më e mirë për organizimin e zgjedhjeve lokale, pasi edhe moti premton një dalje më të madhe të votuesve në zgjedhje. Sipas opozitës, nëse zgjedhjet lokale mbahen në gjysmën e dytë të tetorit, rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave, që Ligjit për Zgjedhjet Lokale duhet të mbahet katër javë pas rrethit të parë, do të mbahej në gjysmën e nëntorit. Përfaqësues të opozitës kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e “bojkotimit” të procesit zgjedhor nga votuesit. Në zgjedhjet e 2007-ës kanë marrë pjesë vetëm 42 për qind e votuesve. Ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, më herët kishin përmendur “fillimin e nëntorit” si datë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, por nuk kanë propozime konkrete.Presidenti Sejdiu njoftoi se i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në përputhje me ligjin në fuqi. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të dalin sa më masovikisht në zgjedhje. Po ashtu, kreu i shtetit, zgjedhjet e sivjetme i konsideron ideale edhe për shuarjen e strukturave paralele, prandaj inkurajoi pakicën serbe që të marrë pjesë në proces. Sipas Sejdiut, fushata parazgjedhore parashikohet të zgjasë një muaj, ose tri javë nëse kështu preferojnë partitë politike. Në këto zgjedhje, Misioni i OSBE-së do të jetë vetëm në cilësinë asistuese, ndërsa zgjedhjet për të parën herë organizohen nga vetë kosovarët. “OSBE nuk mund të jetë faktor për certifikimin e zgjedhjeve, por do të jetë faktor për mbështetjen e tyre dhe monitorimin”, tha Sejdiu. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentit duhet të shpallë datën e zgjedhjeve “jo më pak se katër muaj dhe jo më shumë se gjashtë muaj” para skadimit të mandatit të institucioneve në fuqi.