Pak ditë para se të fillojë sezoni veror, kompanitë për bartjen e turistëve për në Durrës, apo në Ulqin po përballë me situata të reja, për disa prej tyre edhe të pakëndshme. Agjencia turistike “Endriti” nga Ferizaj, duke filluar që nga data 10 qershor, një biletë kthyese për në Durrës e shet 5 euro, kurse për në Ulqin – 10 euro. Ky është lajmi që ka shqetësuar shumë pronarë të agjencive të tjera, të cilët nuk kanë ndryshuar çmimet që nga vjet – 20 ose 25 euro.Zyrtarët e agjencisë ferizajase nuk kanë dashur të japin arsyet për ulje kaq të madhe të çmimit të biletës. A ka ndikuar këtu ndërtim i autostradës Morin-Durrës dhe hapja e tunelit në Kalimash, apo “Endriti” po e shkel konkurrencën, nuk tregon as pronari i saj, Isuf Sejdiu. “Ky është çmimi ynë dhe nuk kemi çfarë të komentojnë më shumë”, ka deklaruar shkurt përmes telefonit pronari.Por, konkurrenca sa është e shqetësuar, po aq edhe kundërshton këtë mënyrë të formimit të çmimeve. Albert Fazliu, menaxher i kompanisë turistike “Arbeni Tours” nga Ferizaj, thotë se me 5 euro është e pamundshme të mbulohen shpenzimet e transportit. Sipas tij, ” Endriti” ka për qëllim të dëmtojë kompanitë e tjera.“Po do me na lënë të gjithëve pa bukë. Kjo ma shumë është punë inati”, thotë ai.Fazliu çmimin prej 20 eurosh e arsyeton me faktin se një autobus për të shkuar dhe ardhur nga Durrësi, shpenzon 450 euro. “Shpenzimet vetëm për një autobus shkojnë mbi 450 euro. Me biletën kthyese 5 euro, vetëm krijohen humbje. Pasi që kemi analizuar të gjitha këto rrethana, në një takim ndërmjet përfaqësuesve të kompanive jemi marrë vesh që çmimi të jetë 20 euro”, shtoi Fazliu.Sipas tij, Ministria e Transportit çmimoren e kërkon për çdo 3 vjet, por në anën tjetër nuk bën asgjë. Pothuajse vlerësim të njëjtë kanë edhe menaxherët e kompanisë “Beni 2” nga Prishtina. Menaxheri i saj, Ferki Berisha tha se është e udhës që kompanitë e Ferizajt t’i zgjidhin problemet nëse kanë mes vete, e mos ta dëmtojnë tërë tregun. “Kompanitë e Ferizajt duhet t’i zgjidhin problemet që kanë në mes veti, e mos t’i dëmtojnë të gjitha kompanitë e tjera”, tha ai.Me tej, Berisha thotë se me çmimin prej 5 eurosh nuk kemi llogari të punojmë. Udhëtimi me ketë kompani qytetarit do t’i kushtojë 20 euro për në Durrës dhe Ulqin.Ndryshe, kompania “Endriti” i ka befasuar këndshëm ata që kanë ndërmend që gjatë sezonit të udhëtojnë për në Durrës. Ajo çmimet e publikuara përmes bilbordave nëpër tërë qytetin Ferizajt, e ka ndërmend t’i mbajë deri në fund të sezonit të pushimeve. “Endriti” ka hapur edhe një debat në këtë treg. A është ky çmim konkurrent, apo damping? A ka hapësirë që dikush të ndërhyjë në këtë mes, apo duhet lënë kompanitë që të imitojnë konkurrencën e lirë, përderisa dikush “nuk digjet”? Një kompani turistike, përkatësisht për bartjen e udhëtarëve, për ta zhvilluar aktivitetin e saj duhet të marrë licencë në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Mirëpo, Ministria nuk ndërhyn kur ka dallime të mëdha të çmimeve. “Kjo është ekonomi e tregut të lirë. Konkurrenca dikton edhe me çmimet. Ne nuk e kemi vendin që aty të ndërhyjmë”, thotë Endrit Shala, këshilltar në Ministrinë e Transportit dhe të Telekomunikacionit.Sipas tij, Ministria mundohet të motivojë kompanitë që të ofrojnë shërbime me çmime sa më të ulëta. Asociacioni i punëmarrësve, përkatësisht ai i pronarëve të bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës nuk mund të caktojë asnjë diktat, por ka autoritet që të harmonizojë punët ndërmjet konkurrentëve, pa dëmtuar asnjërin. Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se disa herë ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të funksionalizohet Agjencia mbi konkurrencën. “Është Ligji mbi konkurrencën, pastaj e kemi Komisionin, i cili duhet të ndërhyj nëse dëmtohet konkurrenca. Mendoj se këto probleme duhet të zgjidhen përmes ligjit”, shtoi Rukiqi.Kosova e ka në fuqi Ligjin e konkurrencës dhe tash se fundi është formuar edhe Bordi i Komisionit të konkurrencës, i cili duhet të shqyrtojë kontestet dhe garën në treg. Ai ka 5 anëtarë, është i pavarur dhe ka kompetenca të marrë masa ndaj atyre që bëjnë shkelje të konkurrencës.Osman Ejupi, kryetar i këtij komisioni, thotë se mund të ndërhyjë vetëm nëse konstatohet ndonjë parregullsi. “Nëse konstatojmë se ulja e çmimit nga ndonjë kompani bëhet me qëllim që të prishet tregu, atëherë këtë e luftojmë me ligj”, tha ai.Për uljen e çmimeve nga kompania “Endriti”, Osmani as që ka dëgjuar. Sipas tij, nëse çmimi i biletave është nën koston reale, atëherë Komisioni merr masa.Pa marrë parasysh se si do të tejkalohet kjo situatë, aty nuk ka të drejtë të ndërhyjë askush. Është treg i lirë. Edhe Komisionit të Konkurrencës do t’i duhen shumë fakte që të nxjerrë një vendim meritor. Mirëpo, nëse merren parasysh rrethanat e reja dhe shumë të lehta që sivjet po krijohen për qarkullim rrugor në relacionin Morin-Durrës, atëherë është e pakuptueshme që çmimi i biletës të mbetet i njëjtë sikurse vjet. Por, a duhet të jetë pikërisht 5 euro? Bileta në relacionin Prishtinë –Pejë kushton 4 euro.