Lëvizja Popullore e Kosovës ka mbyllur të shtunën kapitullin 27-vjeçar të punës nën këtë emër, për të filluar një kapitull tjetër me emër të ri dhe mjaft të pazakontë për skenën politike të vendit. Partia Socialiste e Kosovës është emërtimi që delegatët e Kuvendit i kanë vënë subjektit politik me 106 vota pro, 3 kundër dhe me 2 abstenime, nga 111 delegatët e pranishëm në sallë.Krejt në frymën socialiste, ata janë përcaktuar edhe për logon e partisë, që është një trëndafil i kuq me fletë.Por jo vetëm emri dhe logoja kanë ndryshuar për këtë parti. Në statutin e ri nuk figuron më synimi për bashkim kombëtar, i cili më vonë u transformua në krijimin e Unionit Kosovë-Shqipëri.Partia Socialiste e Kosovës tash e tutje ka një statut të ri, në të cilin thuhet se do të luftojë për një drejtësi sociale për shtetasit e Kosovës.Emrush Xhemajli është votuar me shumicë votash në postin e kryetarit të PSK-së, pasi që nuk pati asnjë kundërkandidat. Ai është shprehur se rrethanat e krijuara në Kosovën e pavarur janë arsyet e profilizimit të partisë nga një lëvizje për çlirim, në një parti e qendrës së majtë që do të angazhohet drejtpërdrejt për jetën e qytetarëve. Me javë të tëra, transformimin e LPK-së në PSK e kanë përcjellë përfolje të shumta me emra deputetësh, të cilët flitej se do t’i bashkëngjiteshin kësaj partie. Kuvendin e PSK-së të shtunën e kanë përcjellë nga afër deputeti i PDK-së, Naim Rrustemaj dhe i pavaruri Driton Tali.Nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa ka marrë pjesë në këtë kuvend, në cilësinë e mysafirit, njëjtë sikur Kaçusha Jashari nga Partia Socialdemokrate.Ndërsa Driton Tali ka përjashtuar mundësinë që të jetë pjesë e Partisë Socialiste të Kosovës.“Kam qenë si mysafir i ftuar dhe nuk jam anëtar i PSK-së. Bindjet e mia politike janë të tjera”, ka thënë Tali për Express, të shtunën.Por ai nuk ka përjashtuar mundësinë që nëse krijohet mundësia, të jetë pjesë e ndonjë grupi deputetësh të kësaj partie.“Është gjë tjetër prania në grup parlamentar, megjithëse nuk është diskutuar as për këtë çështje”, është shprehur Driton Tali, i cili në Kuvend ka marrë ulësen e deputetit përmes listës së kandidatëve të AKR-së, por muaj më vonë është larguar nga ky grup parlamentar.Naim Rrustemaj, nga ana tjetër, ka qenë i padisponuar për ta hapur celularin e tij gjatë tërë ditës së shtunë.Por një burim brenda PSK-së thotë se “PSK-ja nuk do ta ketë vetëm një deputet në Kuvendin e Kosovës”.Mund të imagjinohet që grupi parlamentar që rrezikohet më së shumti nga rrjedhja e deputetëve, është ai i Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo për shkak se një numër i deputetëve të kësaj partie kanë të kaluar të përbashkët, me drejtuesit e PSK-së, qoftë nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, qoftë gjatë veprimtarisë së tyre në ilegalitet deri në vitin 1999.Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Krasniqi, nuk është treguar i shqetësuar pas njoftimeve se nga Grupi parlamentar i kësaj partie mund të ketë rrjedhje deputetësh drejt Partisë Socialiste të Kosovës. “E drejta e secilit është që ta zgjedhë profilizimin e partisë që i fle në shpirt, prandaj kjo është e drejtë individuale e secilit qytetar të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.Sinjalin e parë, PDK-ja e ka marrë qysh të shtunën nga Gafurr Elshani, kryesues i Këshillit organizativ të Kuvendit themelues të PSK-së.“Është punë e Këshillit Drejtues ta shqyrtojë a do të rrimë në koalicion apo jo, por tani ne jemi profilizuar si parti e majtë. Me pasë dashtë me bashkëjetu, kishim qëndru kështu siç kemi qenë deri më tani”, ka thënë Elshani.Emrush Xhemajli, në verë të vitit 2007, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, kishte nënshkruar marrëveshje koalicioni me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, që mori postin e kryeministrit, duke dalë fitues i atyre zgjedhjeve. Edhe Xhemajli, në fjalimin e vet para delegatëve, ka derdhur gurë mbi Qeverinë e Kosovës, të drejtuar nga vetë Hashim Thaçi.“Pronat publike dhe ndërmarrjet publike sot janë ‘gabim qitjeje’, apo objekt rreth të cilit janë grumbulluar si llavë ujqish, grabitësit, shpërdoruesit dhe hajdutët e të gjitha llojeve”, është shprehur Emrush Xhemajli në një fjalim të cilit do t’i kishte lakmi edhe opozitari më i zëshëm.“Hulumtimet thonë se një pjesë e madhe e rinisë do ta lëshonte Kosovën në rastin e parë që do t’i jepej”, ka thënë ai, duke shtuar se si rezultat i kësaj gjendjeje, “shoqëria është e rrezikuar nga korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni dhe reketizmi”.E majta në Kosovë dhe fusha e futbollitRexhë Ibërdemaj ka qenë njëri nga dy aktivistët shumëvjeçarë të LPK-së, që të shtunën është përmbajtur nga votimi për ndryshim të emrit. Për shkak të lidhjeve emocionale me 27- vjeteshin e LPK-së, atij nuk i ka bërë zemra që ta ngre dorën për t’ia ndërruar emrin partisë. Por Ibërdemaj e ka pranuar rezultatin dhe është zotuar të punojë për partinë e vjetër me emër të ri.“Gjysma e fushës së futbollit në politikën e Kosovës është e mbushur me subjekte të djathta. Ne jemi në gjysmën tjetër si subjekt i majtë. Është e vështirë ta mbushim këtë pjesë të fushës, por askush nuk mund të hyjë në të para neve”, ka thënë Ibërdemaj gjatë kuvendit të djeshëm.