Mbi 45 për qind të nxënësve kanë pohuar se arsimtarët e tyre i ngacmojnë seksualisht. Kjo e dhënë ka dalë nga raporti i grupit “Activa”, i cili përbëhet nga nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Arbrit” dhe që vepron në kuadër të organizatës joqeveritare INPO, në Ferizaj.Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Shyqëri Mehmeti, ka thënë se jo vetëm ngacmimet seksuale, por edhe rastet e abuzimit seksual janë në shkallë shqetësuese. Ai ka thënë se qendra e tij ka trajtuar 27 raste të tilla, duke shprehur frikën se rastet e tilla kanë qenë shumë më shumë, por që nuk janë raportuar në këtë qendër.“Këto dukuri i kemi të shprehura edhe te të rriturit, përkatësisht në institucionet publike, ndërsa në ndërmarrjet private kjo gjendje është tepër shqetësuese”, ka thënë Mehmeti, i cili ka kërkuar një koordinim më të mirë të institucioneve që janë të obliguara të merren me këto çështje. “Infrastruktura ligjore për këto çështje nuk na mungon, por vetëm duhet respektuar ligjin”, ka thënë Mehmeti.Edhe neuropsikiatri nga QKMF-ja, Muharrem Asllani, ka thënë se këto raste janë shumë shqetësuese. “Ka pasur raste që personalisht më është dashur të intervenoj te prokurori që të ndalen personat që kanë shkaktuar ngacmime të tilla, madje edhe kërcënime për këto qëllime”, ka thënë Asllani, i cili ka përshëndetur punën e grupit “Activa”, edhe për faktin se kjo temë te ne ende vazhdon të jetë tabu. Koordinatorja e grupit “Activa”, Rina Demiri, ka thënë se anketa ka zbuluar se nxënësit nuk dinë nga kush të kërkojnë ndihmë në raste të tilla, ndaj atyre u janë shpërndarë fletëpalosje me rezultatet e anketës dhe me rekomandimet.