Vrasje, vjedhje dhe të shtëna me armë zjarri në mes të ditës, janë shqetësimet e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë. Policia vazhdon të përsërisë refrenin e njëjtë, se është duke punuar në ndriçimin e rasteve. Por, është më se evidente se mungojnë rezultatet në zbardhjen e incidenteve të armatosura dhe në dënimin e personave që posedojnë armë pa leje. Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë vlerëson se, numri i armëve ilegale të kalibrave të ndryshëm është diku midis 400,000 dhe 600,000. Edhe Agjencia për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka dalë me vlerësimet e saj për posedimin ilegal të armëve nga ana e qytetarëve të Maqedonisë. Grupi hetues për armatime të lehta ka publikuar nga Gjeneva të dhëna shqetësuese, të cilat pohojnë se 110,000 deri 170,000 persona në Maqedoni posedojnë armë ilegale. Prezencën e një sasie kaq të madhe të armatimit te popullata civile, por edhe shfaqjen e dhunës, kryetari i organizatës joqeveritare Civil, Xhabir Deralla, e sqaron me gjendjen e përkeqësuar sociale dhe ekonomike të qytetarëve. “Ka shumë njerëz të dëshpëruar të cilët i kanë përsëritur veprat kriminale, ose janë persona të papunë, ose kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme, qoftë tani apo në të kaluarën, siç janë konfliktet luftarake të cilat kanë lënë gjurmë të thella te ata, te familjet e tyre ose rrethin e tyre më të afërt. Ju sot keni nga një ‘Rambo’ në çdo lagje”, sqaron Xhabir Deralla. Për parandalimin e dhunës dhe të përdorimit të armëve në mënyrë të pakontrolluar nuk mjafton vetëm inkuadrimi i policisë.Të përballesh me këto lloje të problemeve, si siguria, të drejtat njerëzore, sundimi i së drejtës, etj, kërkohet një qasje multidisiplinare, me më shumë metoda dhe me pjesëmarrje të më shumë institucioneve shtetërore, vlerëson kryetari i OJQ Civil, Xhabir Deralla. Ndërsa, profesori Vladimir Pivovarov pohon se posedimi i armëve pa leje është një problem tejet serioz. Sipas tij, shumica e armatimit nga trazirat e vitit 1997 në Shqipëri kanë përfunduar në vendet e rajonit. ”Pas përfundimit të trazirave në Shqipëri, rreth 800,000-900,000 armë këmbësorie kanë përfunduar në rajon, përkatësisht në Kosovë, Maqedoni ose Mal të Zi”, thekson ai. Madje, sipas Pivovarov, armatimi ilegal në Maqedoni mund të shkaktojë trazira shumë më serioze se sa ndonjë grabitje të bankave. «Armët mund të përdoren edhe për situata shumë radikale, siç është shkatërrimi i sistemit ose shkatërrimi me dhunë i Kushtetutës së një vendi. Do të thotë se problemi nuk qëndron vetëm te vjedhjet, por atë mund ta parashikojmë edhe si më të gjerë. Si një gjë që mund të rrezikojë, le të themi, edhe vetë mbijetesën e një shteti», thotë Vladimir Pivovarov.Përfaqësuesi i UNDP në Shkup, Alan Lelon, ka paralajmëruar se, në bashkëpunim me qeverinë e Shkupit, do të fillojë një fushatë mediale për grumbullimin e armëve ilegale. Sipas Trupit Koordinues për zbatimin e ligjit për dorëzimin vullnetarë të armëve ilegale, në fund të këtij viti në Maqedoni planifikohet një aksion i gjerë për grumbullimin e armëve pa leje.Në vitin 2001, pas përfundimit të konfliktit të armatosur, NATO organizoi në Maqedoni aksionin “Korrja e Domosdoshme”, gjatë të cilit u shkatërrua një sasi e konsiderueshme e armatimit ilegal.(DW) GAZETAEXPRESS.COM