Institucionet në Prishtinë presin që në mos më shumë, vizita e Nën-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Beograd, të shërbejë si “fund I nxitjes së të këqijave” nga fqinji verior të cilat Kosova I ka përjetuar vite me radhë. Në ditën kur Biden kishte hyrë në Beograd për të takuar drejtuesit e shtetit serb, kryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se pret që miku I Kosovës nga amerika të dërgojë mesazh të qartë te bashkëbiseduesit e tij.“Ne duam të kemi bashkëpunim të mirë, duam që Beogradi të jetë korrekt dhe konstruktiv në raport me shtetin e Kosovës, duam që Beogradi të mos e luajë rolin destruktiv, duam që të distancohet nga ekstremistët dhe të mos i inkurajojë ata për të bërë gjëra jo të mira në Kosovë. Mendoj se Beogradi i ka marrë mesazhet edhe më herët, por kësaj radhe ato do të jenë edhe më të qarta”, ka thënë kryeministri Thaçi.Sipas kreut të qeverisë, Kosova ka punuar gjithmonë për zhvillimin e raporteve të mira me shtetet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, por vetëm në kapacitetin e shteteve të pavarura.Qëndrimi i Nën-Presidentit Biden në Serbi shënon vizitën e rangut më të lartë politik amerikan në Beograd që nga viti 1980 kur Presidenti I atëhershëm Jimmy Carter vizitoi ish federatën jugosllave.Turi I vizitave të Biden nisi të martën në Sarajevë, ndërsa ai do të përmbyllet sot me vizitën që do ta bëjë në Prishtinë ku autoritetet dhe populli I Kosovës kanë organizuar pritje madhështore.Rrugët që çojnë në kryeqytet nga Aeroporti Ndërkombëtar dhe vetë sheshet e Prishtinës janë stolisur me flamuj të Kosovës dhe të Amerikës si dhe me posterë të mikut nga Amerika.Protokolli ka parashikuar numri 2 i Shtëpisë së Bardhë të aterojë në pjesën ushtarake të aeroportit pas orës 9 të mëngjesit të së enjtes. Aty Joe Biden do të pritet nga Zonja e Parë e Kosovës, Nezafete Sejdiu dhe bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës, Lumnije Thaçi për të hipur në një helikopter I cili do ta sjellë në Shtabin e KFOR-it, Film City, në Prishtinë. Sapo të arrijë në KFOR, ai do të niset drejt ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ku gjendet zyra e Presidentit. Aty Joe Biden do të pritet nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Pas këtij takimi, Biden do të hyjë në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do ta mbajë një fjalim para deputetëve të Kuvendit.Pasdite ai do të niset drejt perëndimit të Kosovës për të vizituar Manastirin e Deçanit, ndërsa agjenda e tij në Kosovë do të mbyllet me një vizitë në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel” në afërsi të Ferizajt në të cilin nuk është siguruar qasje për mediat e Kosovës.Nga Përparim Isufi