Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi ka deklaruar të martën se Qeveria më shumë dirigjon mediat dhe opozitën, sesa Parlamentin e Kosovës. Kështu, Krasniqi ju kundërpërgjigjur kritikave të disa organizatave ndërkombëtare dhe opozitës për kontroll të Qeverisë mbi Parlamentin.“Jam i bindur se mediat, shoqëria civile dhe opozita janë më shumë të dirigjuara nga Qeveria sesa Kryetari i Kuvendit dhe vetë Parlamenti”, ka deklaruar Kryetari i Parlamentit. Zyrtarë të Qeverisë, ndërkaq, nuk kanë dashur t’i komentojnë deklaratat e Jakup Krasniqit, i cili njëherësh është edhe Sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, që udhëhiqet nga Kryeministri Hashim Thaçi. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i kontaktuar nga RTK, ka thënë se dëshiron të bëjë komente në deklarimet e Kryeparlamentarit Krasniqi. Ibrahim Makolli, Shef i Grupit Parlamentar të Aleanca Kosova e Re, tha se nuk ekziston asnjë fakt që tregon se Qeveria e dirigjon opozitën, dhe se një gjë e tillë më së miri kuptohet nëse ndiqen diskutimet në seancat e Parlamentit. Shoqëria civile, disa organizata ndërkombëtare dhe deputetë nga opozita disa herë kanë ngritur shqetësime për rolin mbikëqyrës që Qeveria e Kosovës po ndërmerr karshi organit legjislativ.