Ndërtimi i kësaj vepre të infrastrukturës rrugore do të përbëjë bazamentin e fushatës elektorale të selisë blu. Por vetëm reklamimi i punës nuk do të mjaftojë për mazhorancën në pushtet.
Burimet nga qeveria deklaruan se është parashikuar ceremonia e prerjes së shiritit për mbarimin e tunelit, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.
Veprim që duket se është gjetja më e mirë e demokratëve për të përmbyllur fushatën dhe për të mbajtur sa më lart moralin.
Kjo ceremony do të ia lërë më pas vendin ditës së heshtjes zgjedhore dhe më tutje votimit të qytetarëve shqiptarë.
Ndonëse ende data është në diskutim, mendohet se një kohë më e përshtatshme është 26 qershori. Burimet thonë se stafi i kryeministrit është angazhuar maksimalisht
për të realizuar një ceremoni sa më domethënëse për vetë faktin se ndodhet pak orë para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Firma që po kryen punimet në tunel mësohet të ketë garantuar se përpara zgjedhjeve gjithçka do të jetë gati.
Sakaq, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi turin e saj me një ndalesë në qytetin e Kukësit.
Ajo theksoi se Kukësi ka hyrë në historinë e mbarë botës me mikpritjen e jashtëzakonshme që u bëri kosovarëve të mbërritur gjatë luftës në Kosovë
. Por Kukësi, vijoi kryetarja e Kuvendit, do të hyjë në historinë e zhvillimit me një kryevepër të infrastrukturës,rrugën Durrës- Kukës
Duke u ndalur te rruga ajo deklaroi se «kjo rrugë ka lëvizur malet, kjo rrugë ka tundur tokën, kjo rrugë na ka bashkuar të gjithë ne shqiptarëve».
Ne shqiptarëve në Shqipëri, vijoi ajo, ne shqiptarëve si komb, ne shqiptarëve në Ballkan. «Kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha», deklaroi kryeparlamentarja.
Duke sulmuar kryetarin e opozitës, Edi Rama, Topalli tha se «kryetari i Bashkisë së Tiranës erdhi në Kukës, por nuk shkoi te rruga. Erdhi në Kukës, por nuk foli një fjalë të mirë për rrugën.
Erdhi në Kukës dhe vazhdoi të hidhte baltë mbi atë që është kryevepra jonë. Baltë mbi atë që është krenaria jonë. Baltë mbi atë që është tuneli i shqiptarëve».
Sipas Topallit, kjo rrugë në 8 vjet u nëpërkëmb, u nënvlerësua dhe pastaj u vodh. E vodhën, tha Topalli, me të gjitha taksat që morën për këtë rrugë. «Kur rruga filloi, ata filluan tëvillnin vrer», tha ajo.
Ndaj, u shpreh Topalli, duke parë investime të tilla dhe përmirësim të mirëqenies sonë, ju duhet të votoni sërish Partinë Demokratike për ta mbajtur dhe katër vjet në pushtet.