10 vite me partinë AAK në Kosovë!

10 vite me partinë AAK në Kosovë!

Kur e themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më 2 maj 2000, Ramush Haradinaj përkrah tij kishte Bajram Kosumin, Ethem Çekun dhe disa personalitete të tjera, të cilët munguan në ditëlindjen e dhjetë të partisë, që u kremtua të dielën në Hotelin Grand në Prishtinë. Përkrah Haradinajt qëndronte Blerim Shala, Blerim Kuçi, Haki Shatri, Melihate Tërmkolli dhe figura të tjera të sapoardhura në AAK.Haradinaj përshëndetej në këtë ceremoni si Kryeministër i ardhshëm i vendit. I pari që e përshëndeti për ditëlindjen e dhjetë të AAK’së, Haradinajn si Kryeministër, ishte Besnik Tahiri, këshilltar i tij për qeverisje lokale. Haradinajn e thirri si Kryeministër edhe Nënkryetari Blerim Shala. Në fjalimin e tij për këtë përvjetor, që AAK’në e gjen të dyfishuar, Ramush Haradinaj ka folur për punën e deritanishme të kësaj partie, duke shprehur besimin se AAK mund ta bëjë Kosovën tregim të suksesit.Ai nuk harroi të përsërisë kritika ndaj Qeverisë Thaçi, të cilën e quajti të korruptuar dhe të kompromentuar.“Dhjetë vjet pune të mundimshme, sfida, pësime por mësime të nxjerra. Faleminderit të gjithëve që udhëtuam bashkë. Çka na bashkoi ne në Aleancë, janë bindjet tona politike, dhe është Kosova. Si është politika sot në vend dhe si është Kosova. Kosova e pavarur udhëhiqet nga institucione të korruptuara dhe të komprometuara. Vetvetiu misioni ynë i mëtejmë është për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja në të cilën e kanë sjellë institucionet e sotme. Ky mision mund t’i bashkojë Aleancën, shoqërinë civile, njerëzit e politikës, qytetarët e vendit, por edhe miqtë, të cilët ende besojnë se Kosova është tregim i suksesit. E kam për nder që së bashku me ju këtë mision ta bëjmë realitet”, ka thënë Haradinaj.Edhe Nënkryetari i Parë i AAK’së, Blerim Shala, kritikoi institucionet e Kosovës. “Shteti i Kosovës nuk u bë ashtu siç pritej, një forcë lëvizëse që ndreq atë që ishte prishur në historinë e re të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe vitet e pasluftës. Me udhëheqjen e sotme që ka, Republika e Kosovës po bashkëjeton gati me të gjitha problemet që i ka trashëguar ky shtet, akoma jemi pa integritet territorial, pa kufijtë e kontrolluar në veri të Kosovës, pa rend kushtetues dhe ligjor në një të pestën e Kosovës, pa perspektivë të qartë ndërkombëtare, pa një udhërrëfyes për të hyrë në paktin NATO dhe në BE, pa një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik që do të përmirësonte jetën e çdo qytetari”, ka thënë ai.Blerim Shala ka theksuar se nevojitet një mobilizim i përgjithshëm për të ndryshuar këtë gjendje, në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe të integrohet në strukturat euroatlantike.Në këtë përvjetor, nuk pati përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe përfaqësues të partive në pushtet. Ernest Luma, zëdhënës i AAK’së, tha për Express se ftesa kanë pasur të gjithë për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.